Secondary Adv

Të rinjtë kanë ikur, 70 për qind e emigrantëve shqiptarë në Europë nën 45 vjeç

Emigracioni shqiptar në Bashkimin Europian dominohet nga moshat e reja dhe aktive, duke thelluar plakjen e popullsisë brenda vendit.

Emigrantë kryesisht të rinj në Bashkimin Europian

Mosha e rreth 2.2 milionë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit rezulton dukshëm e re, sipas të dhënave të publikuara nga Ces Hub i Bashkimit Europian. Të dhënat bazohen në censet e popullsisë të zhvilluara nga shumica e vendeve të BE-së në vitin 2021, ku është evidentuar struktura sipas moshës dhe vendit të origjinës së emigrantëve.

Në total, rreth 70% e shqiptarëve që jetojnë në BE janë nën moshën 45 vjeç. Mbi 60% e emigrantëve shqiptarë janë në moshë pune aktive 15–49 vjeç, ndërsa grup-mosha 30–49 vjeç përbën peshën më të madhe me 40.7% të totalit.

 

Emigracion i balancuar gjinor dhe familjar

Struktura sipas gjinisë tregon se kjo peshë është pothuajse e njëjtë për meshkujt dhe femrat, duke dëshmuar se emigracioni shqiptar nuk është më një fenomen i dominuar nga meshkujt, por ka marrë gjithnjë e më shumë karakter familjar dhe të qëndrueshëm.

Të dhënat tregojnë se në dekadën e fundit emigrimi drejt Gjermanisë përbëhej nga rreth 56% meshkuj, në Greqi 53% dhe në Itali 51%, çka konfirmon një shpërndarje relativisht të balancuar gjinore në vendet kryesore pritëse.

 

Kontrast i fortë me strukturën demografike në Shqipëri

Në të kundërt, struktura e popullsisë rezidente në Shqipëri po plaket me ritme të shpejta. Pesha e grup-moshave mbi 50 vjeç është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa moshat e reja dhe ato në kulmin e produktivitetit ekonomik janë tkurrur.

Ndër emigrantët shqiptarë, grup-moshat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5%, ndërsa ata mbi 85 vjeç janë pothuajse të papërfillshëm me 0.3%. Kjo tregon se emigracioni shqiptar është kryesisht emigracion i moshave të reja dhe të mesme, jo i pensionistëve.

 

Familje emigrante dhe vendosje afatgjatë jashtë vendit

Edhe grup-mosha nën 15 vjeç zë një peshë të konsiderueshme në diasporë, rreth 19%, duke reflektuar praninë e familjeve emigrante dhe një proces më të konsoliduar vendosjeje jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, brenda vendit rënia e lindshmërisë ka ulur ndjeshëm peshën e fëmijëve në strukturën e popullsisë.

 

Eksport i kapitalit njerëzor dhe pasoja afatgjata

Në terma demografikë dhe ekonomikë, të dhënat tregojnë se Shqipëria ka “eksportuar” në mënyrë disproporcionale kapitalin njerëzor në moshë pune. Ndërsa jashtë vendit shqiptarët janë kryesisht në moshat që kontribuojnë në rritje ekonomike, brenda vendit po rritet barra mbi sistemin e pensioneve, shëndetësisë dhe financave publike.

Migrimi i shqiptarëve, i dokumentuar që nga shekujt XV–XVI dhe i përforcuar masivisht pas viteve ’90, vijon të mbetet një faktor me ndikim të thellë demografik, social dhe ekonomik, duke formësuar sfidat afatgjata të zhvillimit të vendit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat